Bilall Kasami e pranon se e ka shitur parkingun – “Blerësi ka bërë doancion në Vicë”. Ja reagimi i plotë

Pas skandalit të publikuar nga portali TS se Bilall Kasami ka shitur parkingun e Tetovës një kompanie private, sot zyrtarisht Kasami ka pranuar se e ka shitur, por thotë se blerësi ka bërë donacione në Vicë.

Ja letra e plotë e komunës së Tetovës:

Lidhur me spekulimet për shitjen e tokës pranë parkingut

Komuna e Tetovës ndjen detyrimin moral dhe institucional të reagojë ndaj spekulimeve të qëllimshme që kanë qarkulluar ditët e fundit, ku pretendohet se “është shitur një parking publik për 190.000 euro”.
Kjo është një gënjeshtër që ka marrë formën e një lajmi. Dhe kur gënjeshtrat vishen si lajme, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë të vërtetën. Ne po e japim.
E vërteta nuk ka nevojë për zë të lartë, por për dokumente.
Operatori privat që përflitet, është pronar i pjesës më të madhe të tokës në këtë parcelë që nga viti 2019. Jo përmes ndonjë marrëveshjeje të fshehtë, por me fletëpronësi të rregullt, të depozituar në institucionet shtetërore, që i paraprin çdo spekulimi apo zhurme digjitale.
Ajo që ka ndodhur më pas është një procedurë standarde ligjore, që ka për qëllim të rregullojë kaosin urban, jo ta shtojë atë: përmes bashkimit të parcelave, është formuar një njësi e vetme urbane, dhe për pjesën që i është shtuar operatorit nga ana e Komunës, është caktuar një pagesë prej mbi 800.000 euro, jo një favor, por një obligim financiar i bazuar në aktvendim zyrtar. Dhe ky aktvendim nuk është bërë në zyrë të errët, por në tryezë institucionale.
Dhe nëse ka ndonjë “dhuratë”, ajo i është bërë qytetit, jo privatit. Sipas planit në fuqi, ndërtuesi është i detyruar të sigurojë 126 vende parkimi publike. Pra, jo për vete, por për nevojat e qytetit. Jo për shitje, por për shërbim.
Poashtu, operatori në fjalë ka kontribuar me 200.000 euro për hartimin e Planit Gjeneral Urbanistik, një dokument që për 20 vjet nuk u përpilua as nga ata që sot shpifin, as nga ata që heshtën. Po ashtu, ka dhuruar 100.000 euro për rikonstruksionin e rrugës Sellcë – Vicë, që nuk çon në ndonjë resort privat, por në dy fshatra të Tetovës që për dekada kanë kërkuar ndihmë nga nomenklaturat e mëparshme, por e morën falë angazhimit të udhëheqësisë së tanishme të Komunës së Tetovës. Pra, së bashku me vlerën e paguar si dhe donacionet e dhuruara bëhet fjalë mbi 1 milion euro të dhëna nga operatori privat.
Të dy këto donacione janë miratuar nga Këshilli Komunal, me transparencë dhe pa dilema. Dhe janë të regjistruara, jo të imagjinuara.
Plani Urbanistik nuk është thashethem, është kontratë me qytetin.
Komuna e Tetovës as nuk ka shitur ndonjëherë pronë publike, as nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Ne nuk jemi këtu për të mbuluar gabimet e djeshme me premtime për nesër. Jemi këtu për të krijuar një partneritet të ri midis institucioneve dhe qytetarëve, ku prona publike nuk është monedhë, por vlerë që duhet mbrojtur me çdo çmim.
Komuna e Tetovës në vazhdimësi ka qenë e interesuar për krijimin e parkingjeve të reja përmes partneriteti publiko-privat, si në pronë publike poashtu edhe në prona private nga pal të interesuara! Gjithmonë kemi qenë transparent dhe të hapur për çdo inciativë në shërbim të qytetarëve! Kjo udhëheqësi komunal me në krye kryetarin Bilall Kasami, ka kthyer prona publike, jo t’i shes ato! Së fundmi, janë kthyer 3 parcela në pronësi të komunës si parkingu te gjyqi, tani është në pronësi të komunës, ku po punohet për vendparkime të reja. Parcela te varrezat ku u krijuan parkingje të reja, si dhe te blloku urban 13 (ish tregu i bullgarëve), ku edhe aty u krijuan vendparkime të reja! Ne po i kthejmë pronat publike, nuk po i shesim si i shitën udhëheqësitë e kaluara!
Të gjithë ata që për vite me radhë zhvatën pronën publike, sot flasin për ndërtim të paligjshëm. Ata që nuk dhuruan as një dokument për interes publik, sot akuzojnë për “donacione të dyshimta”. Por qytetarët nuk mashtrohen më me zhurmë, sepse zhvillimi nuk bëhet me statuse Facebook-u, por me vendime që mbajnë vulë e përgjegjësi.
Komuna e Tetovës do të vazhdojë të ecë në rrugën e transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit, duke mos i ngelir borxh asnjë klani, por gjithçka qytetarëve.
E vërteta nuk fshihet, sado që të rrotullohet zhurma rreth saj.