BDI nis fushatën “Shqiptarët për shqiptarët”, pas skandalit në Kumanovë

Pas incidentit të rëndë në Kumanovë, ku tifozë maqedonas, në prani të zyrtarëve qeveritarë, bënë thirrje të hapura urrejtjeje ndaj shqiptarëve – si “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shiptari”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” Bashkimi Demokratik për Integrim ka nisur fushatën “Shqiptarët për shqiptarët”.

Kjo fushatë vjen si reagim ndaj përshkallëzimit të gjuhës së urrejtjes dhe për të riafirmuar solidaritetin mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Skandali ka shkaktuar reagime të ashpra nga krerët e opozitës shqiptare në vend, si dhe nga përfaqësues të shteteve fqinje si Shqipëria dhe Kosova, të cilët dënuan ashpër gjuhën diskriminuese dhe mungesën e reagimit institucional./TS/