BDI: Në Agjencinë e Kadastrës së Pasurisë së Patundshme, diskriminimi dhe përjashtimi i shqiptarëve vazhdon, rezultati 25:0

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga institucionet e administratës shtetërore dhe publike. Rasti i fundit në Agjencinë e Kadastrës së Pasurisë së Patundshme, ku bilanci i avansimeve dhe punësimeve të fundit është 25 me 0, është dëshmi e qartë e kësaj politike diskriminuese dhe përjashtuese.

Ky realitet është produkt i një projekti të njohur tashmë nga qytetarët si “Maqedonia sërish e jotja”, i cili nuk është më vetëm ide apo diskurs politik, por është i reflektuar hapur edhe në programin qeveritar, si dhe në programin parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të saj. Përmes këtij projekti, është paralajmëruar dhe tashmë është hequr mekanizmi i balancuesit, një mjet që garantonte përfaqësim të drejtë të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike në institucionet shtetërore.

Përmes këtij synimi të realizuar për eliminim të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, si institucion parapolitik në shërbim të realizimit të agjendës së një partie, qeveria po çon përpara një projekt për ta kthyer shtetin në pronë etnike dhe politike të një grupi të vetëm, ndërsa shqiptarët dhe komunitetet e tjera trajtohen si të padëshiruar.

Kjo situatë është e papranueshme dhe thellësisht shqetësuese. Përgjigja më e qartë dhe më e fuqishme do të jetë në muajin tetor, kur qytetarët do të kenë mundësinë të flasin përmes një referendumi politik, për të mbrojtur karakterin multietnik të shtetit, për të mbrojtur arritjet e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera, dhe për të rikthyer rrugën evropiane të vendit.

BDI u bën thirrje të gjitha forcave politike, civile dhe ndërkombëtare që besojnë në barazi, drejtësi dhe demokraci, të mos qëndrojnë indiferente ndaj kësaj rrëshqitje të rrezikshme drejt një shteti monoetnik dhe autokratik.