Barcelona gati të luajë një ndeshje historike që asnjë klub spanjoll nuk e ka bërë kurrë

Ndeshja do të zhvillohet në dhjetor, para Krishtlindjes, dhe përbën një zhvillim të madh.

Një ndeshje e La Ligës me pjesëmarrjen e Barcelonës pritet të luhet jashtë Spanjës dhe të bëhet ndeshja e parë zyrtare e një lige evropiane që zhvillohet jashtë kontinentit.

Prej disa vitesh në fillim të viteve 2000, u hodh ideja që një ndeshje e 39-të e Premier Ligës të luhej jashtë Mbretërisë së Bashkuar, por planet nuk u realizuan kurrë pas kundërshtimeve të shumta ndaj kësaj ideje.

Skuadrat e Premier Ligës shpesh bëjnë turne në Azi apo SHBA për t’i ardhur në ndihmë bazës së gjerë të tifozëve që gëzojnë në këto pjesë të botës.

Këto zakonisht janë në formën e turneve para-sezonale, por vitet e fundit ka pasur edhe një rritje të turneve pas përfundimit të sezonit, që ekipet i përdorin për të rritur të ardhurat.

Tani historia duket se është drejt realizimit, pasi propozimet për të luajtur një ndeshje zyrtare të kampionatit jashtë Evropës kanë bërë një hap të madh përpara.

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka konfirmuar se ka marrë një kërkesë nga Villarreal dhe Barcelona për të zhvendosur ndeshjen e tyre të La Ligës, e cila është aktualisht e planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Estadio de la Ceramica” më 21 dhjetor, në Shtetet e Bashkuara.

Në kërkesë propozohet që ndeshja të zhvillohet në stadiumin “Hard Rock Stadium” në Majami, Florida, një ditë më herët, më 20 dhjetor.

Një deklaratë nga RFEF konfirmoi se kërkesa tani do t’i paraqitet UEFA-s, e cila do të nisë procesin e miratimit të mundshëm të ndryshimit të vendit të zhvillimit të ndeshjes, në bashkëpunim me FIFA-n.

Deklarata thotë:

“Më 11 gusht 2025, Bordi i Drejtorëve të RFEF u njoh me kërkesën e Villarreal CF dhe FC Barcelona për të zhvilluar javën e 17-të të La Ligës në Shtetet e Bashkuara.

Pas marrjes dhe verifikimit të dokumentacionit dhe pas miratimit të Bordit të Drejtorëve, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit do t’i paraqesë UEFA-s kërkesën për të filluar procedurat për autorizimin e mëvonshëm nga FIFA që ndeshja të zhvillohet në ‘Hard Rock Stadium’ në Majami (Shtetet e Bashkuara, USSF, CONCACAF), më 20 dhjetor 2025, në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Ndeshjeve të FIFA-s dhe rregullat zbatues të miratuara nga RFEF.”

Dy përpjekje të mëparshme për të zhvilluar ndeshje të La Ligës jashtë Spanjës nuk u realizuan kurrë.

Barcelona ishte planifikuar të përballej me Gironën në “Hard Rock Stadium” në Majami – aty ku do të zhvillohej edhe ndeshja me Villarrealin – në vitin 2019, por planet u anuluan pas kundërshtimeve nga RFEF dhe sindikata e lojtarëve.

Gjithashtu, propozimet për zhvillimin e ndeshjes mes Barcelonës dhe Atletico Madrid në Majami vitin e kaluar nuk u realizuan për shkak të mungesës së kohës, pasi kërkesa u bë vetëm disa muaj para datës së ndeshjes.