Barcelona ka shënuar një fitore spektakolare në xhiron e dytë të La Ligas.
Katalanasit triumfuan me përmbysje dramatike 2:3 në udhëtim ndaj Levantes.
Romero hapi serinë e golave për Levanten në minutën e 15-të të ndeshjes.
Fundi i pjesës së parë ishte i vështirë për Barcelonën, pasi Moráles shënoi nga penalltia në minutën e 37-të, duke dyfishuar avantazhin për vendasit.
Mirëpo, pjesa e dytë solli një Barcelonë krejtësisht ndryshe. Në minutën e 49-të, Pedri shënoi një gol spektakolar, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Ferran Torres barazoi rezultatin në 2:2.
Kur dukej se gjithçka do të përfundonte në barazim, në minutën e parë shtesë, Elgezabal realizoi autogol, duke i dhuruar Barcelonës një fitore të madhe 2:3.
Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona vazhdon të kryesojë me 6 pikë nga dy ndeshjet e para.