Kompani të lidhura me biznesmenët kosovarë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, – të dy të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara – shfaqen në strukturën pronësore të grupit serb “Alta”, banka e të cilit planifikon të blejë një institucion financiar në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi të hënën politikani opozitar Ivan Veliçkovski, përcjell KDP.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, dyshohet se ka udhëhequr një grup të armatosur që kreu një sulm në Banjskë në vitin 2023. Sipas Veliçkovskit, përmes kompanisë “Alston”, “Alta Group” është bërë pronare e një projekti ndërtimi prej 1.550 metrash katrorë që më parë ishte i lidhur me partneret e biznesmenëve Veselinoviq dhe Radoiçiq.
“Alta Banka”, pjesë e grupit të biznesmenit serb Davor Macura, ka shpallur synimin për të marrë nën kontroll “Stopanska Banka Bitola”, institucion në pronësi të biznesmenit maqedonas Orce Kamçev, i cili gjithashtu figuron në listën e zezë të SHBA-së.
Veliçkovski tha se ngritja e Macurës është ngushtësisht e lidhur me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe se kjo marrëveshje nuk është vetëm çështje financiare, por edhe e sigurisë kombëtare për Maqedoninë e Veriut.
Ai paralajmëroi se ky transaksion mund të shërbejë për ridrejtimin e rrjedhave financiare nga Beogradi drejt Shkupit, në kushtet e paqëndrueshmërisë politike në Serbi. Sipas tij, vendi rrezikon të shndërrohet në një “offshore” rajonal, të krahasueshëm me modelin e Qipros të viteve 1990.
Politikani opozitar bëri thirrje për ndryshime ligjore që do të ngrinin pasurinë e personave të sanksionuar nga OKB-ja, BE-ja, SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe, në mënyrë që të parandalohej legalizimi ose fshehja e kapitalit të fituar në mënyrë të paligjshme.