Azem Sadiki shpalli kandidaturën e pavarur për kryetar komune për Komunën e Studeniçanit

Kryetari aktual i Komunës së Studeniçanit, do të garojë edhe për një mandat.

Azem Sadiki, ka shpallur zyrtarisht rikandidimin e tij si kandidat i pavarur për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sadiki u shpreh se vendimi për të rikandiduar vjen si rezultat i besimit dhe mbështetjes së vazhdueshme që ka marrë nga qytetarët gjatë mandateve të kaluara.

“Me përulësi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, ju njoftoj se kam vendosur të rikandidoj si kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës së Studeniçanit,” tha ai.

Në fokus të platformës së tij zgjedhore është vazhdimi i punëve infrastrukturore në të gjitha vendbanimet, tërheqja e investitorëve, zhvillimi i industrisë së lehtë dhe promovimi i turizmit malor si një potencial i pashfrytëzuar i zonës.

“E ardhmja e Komunës së Studeniçanit është në duart tona – me përkushtim, transparencë dhe punë të ndershme, mund të bëjmë edhe më shumë për të gjithë qytetarët tanë,” tha Sadiki.