Autobusi nga Kosova përplaset me një kamion në një autostradë të Gjermanisë, raportohet për rreth 30 të lënduar

Mediat gjermane raportojnë se një autobus me 50 pasagjerë është përplasur natën e së mërkurës me një kamion të ngarkuar me perime në autostradën A8, pranë Irschenbergut, në drejtim të Mynihut, përcjell TV21. Sipas raportimeve, autobusi kishte udhëtarë nga Kosova dhe po drejtohej nga një shofer 49-vjeçar nga Sllovenia. Raportohet se autobusi është përplasur në pjesën e pasme të kamionit, duke shkaktuar dëmtime të mëdha.

Sipas policisë, 30 persona janë plagosur, prej tyre dy rëndë.

Për menaxhimin e situatës, u ngrit një qendër emergjente në stacionin e zjarrfikësve në Irschenberg, ku u angazhuan mjekë, ambulanca dhe një helikopter.

Media gjermane rosenheim24.de shkruan se autostrada A8 drejt Mynihut qëndroi e mbyllur për rreth dy orë për të shpëtuar të lënduarit dhe për të pastruar vendngjarjen.

Në operacion morën pjesë zjarrfikësit e Irschenbergut, ekipe nga Miesbach e Weyarn, si dhe policia dhe shërbimet rrugore.