Australia e fajëson Iranin për dy sulme antisemitike, ia dëbon ambasadorin

Australia e ka akuzuar të martën Iranin për kryerjen e dy sulmeve antisemitike me zjarrvënie në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe e urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh.

Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemitike.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencë dhe Siguri ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani kishte drejtuar të paktën dy nga këto sulme.

“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni, të orkestruara nga një shtet i huaj në tokën australiane”, tha Albanese në një konferencë për shtyp.

“Ishin përpjekje për ta minuar kohezionin social dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, nënvizoi ai.

Sipas tij, Irani ishte përpjekur ta “fshihte përfshirjen e vet” në sulmet e vitit të kaluar ndaj një restoranti në Sidnei dhe ndaj Sinagogës Adass Israel në Melburn.

Albanese shtoi se agjencia e sigurisë së Australisë vlerëson se është e mundur që Irani të ketë drejtuar edhe sulme të tjera.

Australia i ka pezulluar operacionet në Ambasadën e vet në Teheran dhe të gjithë diplomatët e saj janë të sigurt në një vend të tretë, tha kryeministri, duke shtuar se Qeveria e tij do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë iranianë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar.

Kjo do të jetë hera e parë që një ambasador dëbohet nga Australia që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ambasada e Izraelit në Australi e mirëpriti këtë veprim ndaj rivalit të saj kryesor, Iranit.

“Regjimi i Iranit nuk përbën kërcënim vetëm për hebrenjtë ose Izraelin, ai rrezikon gjithë botën e lirë, përfshirë Australinë”, tha Ambasada izraelite në X.

Izraeli dhe Irani e zhvilluan një luftë ajrore 12-ditore në qershor, pasi Izraeli nisi sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Rreth 90,000 njerëz të lindur në Iran jetojnë në Australi.

Dy burra janë akuzuar për sulmin e dhjetorit që dogji sinagogën, e ndërtuar në vitet 1960 nga të mbijetuarit e Holokaustit në lagjen Ripponlea.

Javën e kaluar, policia në shtetin juglindor të Viktorias tha se po ekzaminonte pajisje elektronike të sekuestruara gjatë një kontrolli në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, i cili pritet të dalë në gjyq të mërkurën.

Policia tha se tre persona ishin futur me forcë në sinagogë dhe ia kishin vënë zjarrin.

Mediat raportuan se burri i arrestuar në janar për atë sulm kishte lidhje me një bandë të njohur motoçiklistësh australianë. Ai i mohoi akuzat në gjykatë dhe u lirua me kusht.