ASH: Deklarata e Filkov rrezikon përfaqësimin e shqiptarëve, VLEN mbështet çdo veprim antishqiptar të kësaj qeverie
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për deklaratën e Igor Filkov, ministrit të Drejtësisë, për mundësinë e rishikimit të shumicës së Badenterit. Ky mekanizëm është themelor për garantimin e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut.
“Deklarata e ministrit është e papranueshme dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve. Pas heqjes së Balancuesit, tani kërkohet edhe heqja e Badenterit, duke vënë në rrezik barazinë etnike dhe parimet demokratike,” thekson Aleanca për Shqiptarët.
Aleanca gjithashtu akuzon koalicionin qeverisës VLEN:
“VLEN vazhdon të jetë mbështetës i çdo nisme antishqiptare të qeverisë jolegjitime. Me heshtjen dhe pranimin e veprimeve të tilla, VLEN po rrezikon interesat dhe të drejtat e shqiptarëve, duke e legjitimuar politikën diskriminuese të këtij pushteti.”
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga të gjitha institucionet dhe faktorët ndërkombëtarë:
“Të ndërhyjnë dhe të ndalojnë këtë ofensivë kundër përfaqësimit të shqiptarëve, sepse çdo tentativë për të hequr mekanizmat e garantimit të barazisë etnike është një sulm ndaj demokracisë dhe stabilitetit të vendit.”
Aleanca për Shqiptarët do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të të drejtave, përfaqësimit dhe barazisë së komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Aleanca për Shqiptarët