Arkitekti me famë ndërkombëtare nga Turqia, Bajram Vardar, i cili aktualisht është bashkëpunëtor i kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij me gjendjen urbanistike të kësaj komune. Gjatë një vizite në Çair dhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, Bajram Vardar ka vënë në dukje problemet e theksuara me mungesën e hapësirave të gjelbra dhe mbipopullimin ndërtimor, kaosit në rrugë e trotuare dhe ndërtimet e egëra.
“Ishim duke ec në çarshi, i pamë bulevardet. Njani ke tu na shkel në Çair me kerr. Në Çair ka probleme bajagi. Desha me ba intervenime, ama s’ka mbet kurrfarë veni të lirë për me ba. Parket kurgjo hiç. A kanë mbet 3-4 copa, po janë shumë të vogla,” thotë Vardar.
Ai theksoi se për shkak të gjendjes kaotike urbane, lëvizja nëpër Çair është e mundur vetëm me ANIJE.
“Nëpër Çair, e kshira, është mirë me ba ANIJE me ecë… edhe Teleferik.” i thotë Vardar- Izet Mexhitit në videon që ka postuar vetë kandidati për Çairin.
Ai shihet gjithashtu skeptik për realizimin e ndonjë plani madhor urbanistik në këtë zonë, duke theksuar vështirësitë reale në zbatimin e projekteve që shpesh mbesin vetëm në letër.
“Mos bajm ‘hop’ para se me kcy gardhin. Me ba Çairin pi kompjuter LIVE është shumë punë e madhe.” thotë Vardar para syve të Izet Mexhitit i cili 3 mandate ka qenë kryetar komune dhe kërkon edhe një mandat tjetër.
Vardar, i cili ka shërbyer si kryearkitekt i qytetit të Bursës dhe ka punuar për transformimin urban të Stambollit, është angazhuar për të hartuar një master plan për transformimin e Çairit, por komentet e tij sugjerojnë se situata aktuale është larg premtimeve politike dhe kërkon një qasje serioze e afatgjatë.