Anulohen seancat në Gjykatën Penale për shkak të pamundësisë për të sjellë të paraburgosurit – Utkovski: Burgu ka mungesë automjetesh dhe stafi
Gjatë dy ditëve të fundit, pothuajse të gjitha seancat e caktuara në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë shtyrë, me njoftim të rregullt për palët, për shkak se nga burgu i Shutkës nuk janë sjellë të paraburgosurit në seancat e planifikuara.
Nga Gjykata theksojnë se mes rasteve të shtyra ka pasur edhe lëndë nga departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion, me më shumë se dhjetë të akuzuar, për të cilat rrjedhin afate ligjore për procedim. Gjykata nënvizon se masa e paraburgimit ka për qëllim vetëm sigurimin e pranisë së të akuzuarve dhe nuk guxon të shndërrohet në dënim.
Në letrën drejtuar drejtorit të burgut, Gjykata thekson se burgu është “shërbim i gjykatës” dhe detyra e tij është të sigurojë praninë e të akuzuarve. Gjykata pret që kjo situatë të mos përsëritet më.
Drejtori i Burgut Shkup, Boban Utkovski, informon se problemet janë pasojë e numrit të kufizuar të automjeteve dhe numrit të zvogëluar të të punësuarve në Policinë e Burgut. Ai thekson se më 18 gusht kanë qenë të planifikuara 12 shoqërime, nga të cilat janë realizuar 8, ndërsa më 19 gusht nga 19 të planifikuara janë realizuar 16.
Utkovski sqaron se Burgu i Shkupit kryen shoqërime jo vetëm për Gjykatën Themelore Penale Shkup, por edhe për të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë shtetin, përfshirë Gostivarin, Tetovën, Kërçovën, Kumanovën, Velesin, Shtipin, Manastirin, Ohri dhe Koçanin, duke vepruar sipas mundësive dhe kapaciteteve.