Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka evidentuar gjithsej 1.916 automjete shtetërore në Regjistrin e automjeteve të institucioneve shtetërore, komunave, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera që disponojnë kapital shtetëror, në kuadër të afateve për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, përcjell PressOnline.al.
Institucionet kishin detyrimin të dorëzonin deri më 18 gusht të dhënat për numrin, markën, vitin e prodhimit, targat dhe gjendjen teknike të automjeteve. Në rast se ndonjë organ publik nuk ka dërguar këto informacione, Antikorrupsioni ka paralajmëruar se do të nisë procedura kundërvajtëse brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit.
Qëllimi i regjistrimit është parandalimi i përdorimit të automjeteve shtetërore nga funksionarë dhe persona të emëruar gjatë fushatave zgjedhore.
Ndërkohë, Qeveria ka vendosur që të gjitha veturat zyrtare të pajisen me targa të veçanta të kuqe deri më 15 shtator 2025, si masë për transparencë më të madhe dhe shmangie të keqpërdorimeve. Parashikohet gjithashtu krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për automjetet shtetërore, që do të mundësojë ndjekjen e saktë të përdorimit dhe lëvizjes së tyre.