Analisti Sefer Selimi thumbon Presidenten Siljanovska

Deklarata e fundit e presidentes Gordana Siljanovska Davkova ka ngjallur reagime të ashpra në opinion, pasi ajo në mënyrë të papranueshme barazoi thirrjet për “Iliridën” me parullat skandaloze si “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
Ky relativizim i hapur i gjuhës së urrejtjes dhe i thirrjeve për spastrim etnik është dëshmi e një qëndrimi politik të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm nga ana e kreut të shtetit.

Nëse kërkesat politike dhe historike të shqiptarëve barazohen me thirrjet për gjenocid, atëherë lind pyetja: cilin mesazh dëshiron të dërgojë presidentja – atë të pajtimit apo të ndarjes së thellë etnike?

Mësimi i pamësuar i “presidentes sonë”:

“Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër” nuk janë e njëjta gjë me thirrjet për “Iliridën”.

Thirrjet nacionaliste dhe thirrjet për gjenocid nuk janë dhe nuk guxojnë të trajtohen njësoj.
E nëse tashmë bëni krahasime, atëherë krahasojini me “Selaniku është yni” apo “Maqedonia, të jetë e tëra”, slogane që defilojnë nëpër mitingjet tuaja partiake, të cilat kurrë nuk i keni dënuar!

Por, duket se profesoresha Siljanoska nuk ia ka dhënë atë mësim presidentes Davkova:
Kur dënon, nuk relativizon dhe nuk krahasohet.