Aliu në Tetovë: Mbi 70 milionë euro investim për Spitalin Klinik të Tetovës – do të ndërtohen dy objekte të reja dhe do të rinovohen tre objekte ekzistuese

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në Tetovë zhvilloi një takim pune me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi dhe ekipin e tij, si dhe me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Në takimin e punës u diskutua për prioritetet e Spitalit Klinik të Tetovës për përmirësim infrastrukturor, me dy objektet e reja të planifikuara, si dhe për rikonstruksionin e kapaciteteve ekzistuese.

– Tashmë ka kaluar në seancë të Qeverisë informacioni për 205 milionë euro investime në Tetovë, Kërçovë dhe Shtip. Sot jemi këtu në një takim pune së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës dhe me grupin e punës të përbërë nga mjekë dhe administratorë, për të parë se cilat janë nevojat nga këndvështrimi funksional dhe infrastrukturor. Grupi i punës do të hartojë një raport në mënyrë që të buxhetohen të gjitha nevojat e domosdoshme për spitalin, deklaroi ministri Aliu.

Investimi i përgjithshëm për Tetovën arrin mbi 70 milionë euro, për të gjithë kampusin, pra për dy objekte të reja dhe tre objekte infrastrukturore ekzistuese që duhet të rinovohen.

Sa i përket punësimeve të reja në këtë institucion, ministri informoi se procedura është në zhvillim, të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkurs po testohen dhe, për shkak të pengesave ligjore, hapi i fundit i kësaj procedure do të mund të realizohet vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ai shtoi gjithashtu se analizat tregojnë se në Tetovë ka nevojë për 300 punësime të reja, pas së cilës do të hapet edhe një procedurë e re për punësime.

Në kuadër të projektit për përmirësimin infrastrukturor të shëndetit publik , në Spitalin Klinik të Tetovës është paraparë ndërtimi i dy pavijoneve të reja për shërbime të specializuara si onkologjia, infektologjia, dermatologjia, psikiatria dhe gjinekologjia, si dhe rikonstruksioni i blloqeve ekzistuese kirurgjikale dhe internistike, bashkë me rregullimin e plotë të infrastrukturës dhe hapësirave të jashtme.