Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka vlerësuar lart kontributin dhe figurën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e cilësuar atë si një udhëheqës me përmasa shumë më të mëdha sesa kufijtë shtetërorë. Në një prononcim për Tetovasot, Aliu u shpreh se Ahmeti është një lider që ka qenë gjithmonë aty ku e ka kërkuar atdheu – nga lufta për çlirim, deri te përpjekjet për paqe dhe integrim shkruan Tetovasot.
“Ali Ahmeti është lider i shqiptarëve të Maqedonisë, por ai ka përmasat e një lideri shumë më të madh. Vetë jeta e tij flet për këtë figurë kombëtare. Ai është një udhëheqës që është gjendur aty ku e ka thirrur atdheu”, tha Aliu, duke theksuar gjithashtu rolin e Ahmetit në proceset politike që sollën paqen dhe stabilitetin në rajon.
Aliu shtoi se vizioni dhe urtësia e Ahmetit, si dhe përkushtimi i tij ndaj vlerave evropiane, e bëjnë atë një shembull të udhëheqjes së përgjegjshme.
Në këtë kontekst, ai foli edhe për protestën e organizuar në Prishtinë nga organizata të dala nga UÇK-ja, duke e cilësuar si një kauzë të drejtë për të mbrojtur vlerat e luftës për liri të Kosovës. Për Aliun, mbështetja ndaj kësaj proteste është një detyrim moral ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Ali Ahmeti është shembull që duhet të jetë i pranishëm në të gjithë gjeografinë shqiptare,” përfundoi kreu i Ferizajt.Tetovasot