24 vjet nga vrasja tinëzare e komandant Telit dhe bashkëluftëtarëve të tij në Gazi Babë të Shkupit

Masakra e njohur si e Gazi Babës, e njohur me emrin “tradhëtia e madhe” vazhdon të jetë një enigmë që nuk është zbardhur deri tani, edhe ate 24 vite nga mesnata e 7 gushtit 2001, kur forcat speciale maqedone vranë në pritë në një shtëpi në Shkup, Lefter Koxhaj i njohur si komandant Teli i UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tij.

Komandant Teli dhe pesë bashkëluftëtarët e tij u vranë më 7 gusht 2001 në një shtëpi në lagjen e Gazi Babës në Shkup, vetëm tre ditë pas vendosjes së armëpushimit mes UÇK-së dhe forcave maqedonase të sigurisë, përcjell INA.

Atëkohë thuhet se forca të mëdha rrethuan shtëpinë ku ishte Teli dhe se nuk dihen rrethanat e vrasjes së tij dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë.

Përpos komandant Telit, 32 vjeçar u vranë edhe 24 vjeçari Arben Bajrami nga Shkupi, Ndriçim Koxhaj nga Librazhdi 30 vjeç, Abaz Beqiri nga Maqedonia – 42 vjeç dhe 21 vjecari Pajtim Roci. (INA)

Komandant Teli në radhët e UÇK-së ishte i njohur si luftëtar rebel dhe që konsiderohej si tmerri i ushtrisë maqedone në betejat më të ashpra të UÇK-së. Kjo ngjarje mbeti mister edhe pas 24 viteve, kur në pritën tinëzare u vranë derisa ishin në gjumë luftëtarët e UÇK-së, edhe ate tre ditë pasi ishte firmosur armëpushimi i 4 gushtit dhe 6 ditë përpara se të firmosej marrëveshja e Ohrit, e cila do t’i jepte fund konflikit të armatosur.