14 maqedonas dhe 2 shqiptarë! Djali i deputetes Koxhaxhiku punësohet në M-NAV

Premtim Koxhaxhiku e ka fituar vendin e punës “këshilltar i pavarur në kabinetin e drejtorit për Financa, Punë Juridike dhe Zhvillim” në agjencinë për kontrollin e fluturimeve M-NAV. Burime nga MNAV për gazetën KOHA thonë se Premtimi, djali i deputetes së VLEN-it nga Lëvizja Demokratike, Merita Koxhaxhiku, është shqiptari i dytë në mesin e 14 maqedonasve të pranuar në punë në dy konkurset e fundit që MNAV i kishte shpallur – të parin më 13 qershor për 8 persona dhe konkursin e dytë – më 9 korrik, gjithashtu për 8 persona.

Në ndërkohë, në konkursin e parë për 8 vende pune, nuk është pranuar asnjë shqiptar, ndërkohë që në të dytin – nga tetë të punësuar, vetëm dy janë shqiptar: djali i deputetes Koxhaxhiku si këshilltar, si dhe Artan Shaqiri – në vendin e punës “sigurim të pronës”. Selektimi i kandidatëve është bërë dje, megjithëse vendimet zyrtare të punës do t’u shpërndahen pasi të mbarojnë zgjedhjet.

Në ndërkohë, Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimit ka akuzuar se drejtuesit e Navigacionit Maqedonas (M-NAV) nuk e kanë lejuar kontrolloren e fluturimit, të deleguar nga Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimit, të marrë pjesë në intervistat me kandidatët për konkursin e përsëritur për punësime në pozita me paga fillestare mbi 1000 euro, ndërsa kanë akuzuar se konkurset nuk janë meritorë por politikisht të kurdisura.

“Përfaqësueses së Sindikatës, drejtorët i kanë thënë se, nëse dëshiron, mund vetëm të shikojë dhe të konfirmojë që kandidatët kanë hyrë në intervistë, ndërsa drejtorët, përmes kësaj, kanë marrë mundësinë ekskluzive për të zgjedhur punonjës të rinj. Nuk jemi spiunë që të shikojmë përmes vrimës së çelësit, por që të konfirmojmë se janë përzgjedhur kandidatët më të mirë. Kjo është në përputhje me Marrëveshjen Kolektive”, është shprehur për mediat Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës së Kontrollit të Fluturimit. (koha.mk)