ZRRE e licencon për tregti me rrymë kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit

Zyra e Rregullatorit për Energji i ka dhënë licencë për tregtimin e energjisë elektrike “Management & Development Associates L.L.C.”, kompanisë që e kishte themeluar Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

ZRRE-ja njoftoi se vendimi është marrë një një mbledhje të mbajtur sot, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Licencë për tregti të rrymës mori edhe “Energy Kosova V.B” sh.p.k”, njoftoi ZRRE-ja.

“Më 10.07.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për energji ka mbajtur seancën e tetë (VIII) për vitin 2025. Në këtë seancë Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar aplikacionet për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k”, thuhet në njoftim.

ZRRE-ja thotë se shqyrtoi dhe aprovoi edhe kërkesat e 11 subjekteve juridike dhe 14 personave fizikë për “marrje të autorizimit për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 1282 kW.”

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”.

Kompania e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në emër të Driton Dalipit, është themeluar nga Luan Dalipi, në bazë të deklarimit të pasurisë nga shefi i stafit të Kurtit në vitin 2021.

Luan Dalipi shkruante ndër tjerash në Facebook se “liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit”. /Reporteri.net/