Zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi: Kumanova po vendoset në qendër të zhvillimit-drejtësia sociale po vihet në vend
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Latifi Azizi, bashkë me Zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë Arben Fetai dhe Ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi, prezantuan në Kumanovë Planin Operativ për Punësim 2025, një program ambicioz me vlerë 40 milionë euro.
Nga qyteti i saj i lindjes, Latifi Azizi theksoi se ky plan nuk është thjesht një paketë ekonomike, por një vizion i ri për dinjitet, barazi dhe drejtësi sociale, veçanërisht për qytetet që për shumë vite kanë mbetur në harresë.
“Unë sot erdha me krenari në vendlindjen time. Një qytet që ka dhënë shumë, por që mbajtësit e pushtetit për mbi 20 vite Kumanovën e harruan krejt. Por Kumanova meriton më shumë, dhe po e vendosim në qendër të projeksioneve të zhvillimit ekonomik e social,” deklaroi Latifi Azizi.
Ajo nënvizoi se Kumanova ka kaluar sfida të mëdha, por ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në një qendër zhvillimi dhe shembull suksesi në rajon.
Plani përfshin mbështetje për të rinjtë, gratë dhe kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, duke garantuar mundësi reale për punësim dhe përparim profesional.
“Drejtësia po fillon të vihet në vend, dhe kjo ditë është dëshmi se angazhimi ynë është serioz dhe i pakthyeshëm,” përfundoi zëdhënësja e Qeverisë.