Xavi aplikoi për të marrë drejtimin e Indisë, por ata e refuzuan për këtë arsye

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës dhe Spanjës, Xavi Hernandez, raportohet se ka aplikuar për postin vakant të trajnerit të ekipit kombëtar të Indisë, por aplikimi i tij është refuzuar nga Komiteti Teknik i Federatës së Futbollit të Indisë.

Periudha e fundit si trajner e Xavit ishte te Barcelona, ku ai drejtoi klubin nga viti 2021 deri në 2024, përpara se të shkarkohej nga bordi drejtues pas një sezoni 2023/2024 pa trofe.

Në fillim të kësaj jave, 170 aplikime u shqyrtuan për postin e lirë të trajnerit të kombëtares indiane, nga të cilat u përzgjodhën tre kandidatë kryesorë: Khalid Jamil, Stephen Constantine dhe Stefan Tarkovic.

Xavi, i cili më parë ka drejtuar edhe skuadrën Al-Sadd në Katar, ishte një nga emrat më të spikatur që kishte shfaqur interes për këtë detyrë.

Sipas një raporti të Times of India, Komiteti nuk e mori parasysh kandidaturën e Xavit, pasi nuk mund të përballonin kërkesat e tij financiare.

Pas gati 24 vitesh në klub, Xavi u largua nga Barcelona në vitin 2019 për të luajtur te Al-Sadd, ku edhe përfundoi karrierën si futbollist, përpara se të emërohej trajner në të njëjtin vit.

Ai u rikthye në ‘Camp Nou’ në vitin 2021, duke zëvendësuar Ronald Koeman, në një kohë kur klubi përballej me vështirësi të mëdha financiare.

Pas gati tre sezonesh në krye të ekipit, Xavi u shkarkua nga detyra nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta.