Xabi Alonso po planifikon dy transferime të mëdha te Real Madridi – tre lojtarë do të largohen

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, po përgatit një lëvizje për dy yje të Ligës Premier, sipas raportimeve.

Alonso po përgatitet për kampionatin e tij të parë në krye të ‘Los Blancos’, pasi u largua nga Bayer Leverkusen për të marrë drejtimin e gjigantëve të La Ligas përpara Kupës së Botës për Klube muajin e kaluar.

Sipas gazetës spanjolle Marca, Reali po planifikon të largojë tre lojtarë të skuadrës këtë verë, Rodrygo, Dani Ceballos dhe Fran Garcia.

Nëse arrijnë t’i largojnë, mediumi spanjoll pretendon se 15 herë kampionët e Evropës do t’i drejtohen afatit kalimtar për të nënshkruar me një qendërmbrojtës të ri.

Thuhet se Reali është i interesuar për mbrojtësin e Liverpoolit, Ibrahima Konate, duke pasur parasysh që kontrata e reprezentuesit francez skadon në qershor të vitit 2026.

Marca pretendon se gjigantët e La Ligas ‘tashmë e kanë bërë punën e nevojshme’ për ta siguruar mbrojtësin verën e ardhshme si lojtar i lirë, në një mënyrë të ngjashme me mënyrën si e transferuan këtë verë Trent Alexander-Arnold nga Liverpooli.

Megjithatë, ‘Los Blancos’ thuhet se po e vlerëson nëse duhet të veprojë tani apo të presë fundin e sezonit të ardhshëm.

Ndërkohë, klubi spanjoll raportohet gjithashtu se është i interesuar për William Saliba, me këtë interesim që nuk varet nga fakti nëse do të sigurojnë ose jo transferimin e Konates.

Si do që të jetë, nënshkrimi i Salibas thuhet se do të ishte ‘i madh, i komplikuar dhe i kushtueshëm’, duke marrë parasysh që lojtari ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Arsenalin.