William Faulkner, zëri që i kujton Amerikës ditët e errëta! Jeta e shkrimtarit që nuk arriti të mbaronte gjimnazin, por fitoi çmimin Nobel
William Faulkner është një nga shkrimtarët më të fuqishëm dhe më të thellë të shekullit të XX-të, një zë që vazhdon të kumbojë përmes faqeve të veprave të tij dhe ndërdijes kolektive të lexuesve që kërkojnë më shumë sesa një histori kërkojnë shpirtin e saj.
I lindur më 25 shtator 1897 në New Albany të Mississippit dhe i rritur në qytetin e vogël të Oxfordit, Faulkner i dha zë një realiteti të mbyllur në heshtjen e pasluftës, në plagët e racizmit, në fajin dhe trashëgiminë e Jugut amerikan që ai e quajti Yoknapatawpha, një vend imagjinar, por tërësisht i besueshëm. Nuk përfundoi as shkollën e mesme, por me një vëzhgim të mprehtë dhe një ndjeshmëri të rrallë, ai i futi në letër rrëfime të ndërprera, zëra të shumëfishtë, struktura të thyeshme që kërkojnë përqendrim dhe përkushtim nga lexuesi. Ishte modernist, por edhe mitolog, shpesh i krahasuar me Joyce-in, por më i errët, më i brendshëm. Romanet si “The Sound and the Fury”, “As I Lay Dying”, “Light in August”, “Absalom”, “Absalom!” nuk janë thjesht histori janë rrëfime për dhimbjen, për dashurinë që plagos, për kohën që zhbëhet dhe për të shkuarën që ndjek gjithmonë të tashmen.
Në vitin 1949, Faulkner fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, për kontributin e tij të pashoq në artin e romanit modern, ndërsa më vonë u vlerësua edhe me dy çmime Pulitzer, njëri gjatë jetës dhe tjetri pas vdekjes. Por ai mbeti një njeri i thjeshtë, që shëtiste rrugëve të Oxfordit, pinte wiski, dhe shmangte kamerat, si për të ruajtur misterin që e mbante gjallë brenda. Ai e quajti veten “i heshtur”, sepse besonte se shkrimtari duhet të jetë i padukshëm, ndërsa vepra e tij të marrë zë. Gjuha e tij është e pasur, e dendur, ndonjëherë si përmbytje që s’të lë të marrësh frymë, ndonjëherë e heshtur si balta e Jugut. Përmes personazheve të tij si Quentin Compson, Joe Christmas, Addie Bundren apo Thomas Sutpen Faulkner rrëfen të gjithë dramën e njerëzimit, nga mëkati te ndëshkimi, nga përçudnimi te shpresa, nga urrejtja te falja.
Ai është një arkitekt i ndërgjegjes njerëzore, një ndërtues i labirinteve ku çdo lexues duhet të humbasë për të gjetur vetveten. Kritikët shpesh e kanë quajtur të vështirë, por Faulkner nuk shkruante për rehati –ai shkruante për të vërtetën, sado e dhimbshme të ishte. Filmat e bazuar në veprat e tij nuk kanë mundur ta përkthejnë dot plotësisht botën që ai krijoi, sepse ajo botë është më shumë se sa fabula është një tronditje shpirtërore. Nëpërmjet Faulknerit, Amerika përballet me kujtesën e saj, me fajin kolektiv dhe me përpjekjen për të rimarrë ndjeshmërinë njerëzore në një shoqëri që shpesh e humb atë. Ai nuk ishte një moralist, por një kronikan i errësirës që qëndron në çdo zemër. Faulkner vdiq në vitin 1962, por vepra e tij nuk njeh vdekje.
Në çdo epokë, në çdo krizë, ajo ngjitet në raftet e nevojës për të kuptuar më shumë, për të qëmtuar përtej sipërfaqes, për të dëgjuar pëshpërimat që historia përpiqet t’i fshehë. Në kohën kur letërsia bëhet gjithnjë e më e shpejtë dhe e lehtë, Faulkner qëndron si një kala e papërkulur e thellësisë. Ai i dha rëndësi fjalës, jo vetëm për tingullin e saj, por për peshën që mbartte. I errët, por i domosdoshëm, ai është kujtesa e asaj që nuk duhet harruar, zëri që vjen nga toka, që flet për të gjitha ato që e formësojnë njeriun, edhe kur ai vetë nuk i pranon dot. Në botën e Faulknerit, gjithçka rrjedh si lumi i nënvetëdijes turbullt, i rëndë, por i pazëvendësueshëm. Dhe për këtë, ai mbetet një nga shkrimtarët më të domosdoshëm të kohës sonë.