Weiz e vulos: RMV do t’i nisë negociatat thelbësore pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese janë kusht kyç për fillimin e negociatave reale për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi eurodeputeti Thomas Weiz, autor i raportit të Parlamentit Evropian për vendin, transmeton agjencia BGNES.

“Raporti tregon përkrahjen e shumicës në Parlamentin Evropian për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Në të nuk ka asnjë bazë për të mos u zbatuar ndryshimet kushtetuese. Ky është një marrëveshje e nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian”, theksoi Weiz.

Ai sqaroi se vërejtjet e eurodeputetëve bullgarë gjatë përgatitjes së raportit dhe heqja e formulimit “gjuha dhe identiteti maqedonas” nuk duhet të përdoren si justifikim nga ana e Shkupit për të bllokuar procesin.

“Shpresoj që Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i plotësojë kushtet e nevojshme”, shtoi Weiz.

Ai po ashtu tha se ka qenë subjekt i sulmeve dhe një fushate shpifëse, ndërsa numri i tij i telefonit ka rrjedhur në grupe Telegrami të ekstremit të djathtë, nga ku ka marrë kërcënime.