Wang dhe Costa diskutojnë për bashkëpunimin dhe sfidat globale

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të mërkurën në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa . Wang në këtë takim nënvizoi se Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) mbeten shtylla qëndrueshmërie në sfondin e rritjes së pasigurisë globale.
Wang, nënvizoi se Kina e sheh Evropën si një pol të rëndësishëm në një botë shumëpolare dhe do të ruajë vijimësinë dhe qëndrueshmërinë në politikën e vet ndaj BE-së. Pavarësisht nëse Evropa gjendet në rrethana të favorshme a të vështira, pala kineze mbështet fuqimisht integrimin evropian dhe mirëpret përpjekjet e BE-së për të rritur autonominë strategjike dhe për të luajtur një rol më aktiv në skenën globale, vuri në dukje Wang.

Në rrethanat globale gjithnjë e më komplekse, Wang u bëri thirrje të dyja palëve të forcojnë solidaritetin, të rrisin koordinimin dhe të veprojnë me vendosmëri si forca qëndrueshmërie.

Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa u shpreh nga ana e tij që 50-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kinë-BE është një moment historik që krijon një mundësi të vyer për të zhvilluar më tej lidhjet dypalëshe. Ai vuri në dukje se, si BE-ja, ashtu edhe Kina, mbështesin multilateralizmin dhe ndajnë përgjegjësinë për të dërguar mesazhe të forta e të qarta mbi çështjet kryesore globale.

Në një botë që përballet me paqëndrueshmëri në rritje, tha Costa, një bashkëpunim i tillë mund të sjellë shpresë e besim në bashkësinë ndërkombëtare

Duke pranuar dallimet që ekzistojnë, Costa përsëriti angazhimin e BE-së për respekt e mirëkuptim të ndërsjellë me Kinën dhe shprehu gatishmërinë e BE-së për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat globale dhe për të siguruar suksesin e takimit të ardhshëm të udhëheqësve Kinë-BE. Ai pohoi gjithashtu përkushtimin e palëkundur të BE-së ndaj politikës së “një Kine”.