Vendoset gurthemeli i dy urave të reja mbi Ibër

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën pasdite ka qenë i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian. Ai ka qenë i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, deputetët Armend Muja e Faton Peci e kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Lajmi në përditësim…

Sot vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi Ibër

(10:59) – Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se të martën, 1 korrik, do të vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur për agjendën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aty u bë e ditur se në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrin pjesë sot në vendosjen e gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin i Ibër në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut”, thuhet në njoftim.

Agjenda:

Aktivitetet:

Vendosja e gurthemelit të urës për kalim të veturave mbi lumin Ibër
KOHA: 17:00

VENDI: Në afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Mitrovicë e veriut

Ecje e përbashkët drejt vendosjes së gurthemelit të urës për kalim të këmbësorëve mbi lumin Ibër
KOHA: 17.15

Vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër
KOHA: 17:30

VENDI: Përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë”, Mitrovicë e jugut

Pas vendosjes së gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve do të ketë prononcim të përbashkët për media

Vetëm një ditë më parë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “që të përmbahen nga ndonjë veprim i njëanshëm, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse”. Ky reagim erdhi në përgjigjen që BE-ja ia dha KOHËS lidhur me testimet e kryera në urën kryesore mbi lumin Ibër. BE-ja konfirmoi se ajo ka bërë vlerësimin e saj dhe zonës dhe se për këtë kanë qenë të njoftuara autoritetet e Kosovës. Megjithatë, u tha se testimet s’janë sinjal për ndryshim në status quon e kësaj ure.

Ditë më parë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura. Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. E fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.

Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.