Ushtria izraelite vazhdon bombardimin e Gazës edhe mes raportimeve për një armëpushim në prag

Të paktën 41 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë sot në një seri sulmesh ajrore izraelite në gjithë Rripin e Gazës.

Në Qytetin e Gazës, 25 persona u vranë kur aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan dy shtëpi që strehonin familje të zhvendosura në lagjet Sheikh Radwan dhe Al-Nasr.

Dëshmitarët okularë thanë se shtëpitë ishin të mbushura me familje që flinin, kryesisht gra dhe fëmijë, kur ndodhën sulmet.

Disa persona mbeten të bllokuar nën rrënoja.

Një sulm izraelit me dron goditi një tendë që strehonte palestinezë të zhvendosur në Sheikh Radwan, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur të tjerë.

Gjatë natës, tre persona nga e njëjta familje u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në shtëpinë e tyre në lagjen Al-Daraj të Qytetit të Gazës.

Në Gazën jugore, të paktën dhjetë persona, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë, u vranë në dy sulme ajrore izraelite mbi tenda të improvizuara për civilë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi të Khan Younis.

Forcat izraelite bombarduan gjithashtu struktura banimi dhe civile në lindje të Qytetit të Gazës dhe pjesët veriore të enklavës gjatë natës, me banorët që raportuan shpërthime të vazhdueshme gjatë gjithë natës.

Në Gazën qendrore, një predhë izraelite plagosi një peshkatar palestinez në brigjet e Deir al-Balahut ndërsa ai po punonte.

Ndryshe, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli vazhdon ta bombardojë Gazë. /AA/