Uran Ismaili edhe zyrtarisht ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet e tij sociale, Ismaili ka listuar një sërë arsyesh pse po rikandidon.
Në video-mesazhin e tij, Ismaili shfaqet në pjesë të ndryshme të qytetit të Prishtinës duke përmendur se kandidatura e tij vjen nga përkushtimi personal që ka ndaj kryeqytetit dhe nga bindja se Prishtinës i duhet një drejtim të ri.
“Kur po më pyesin pse po kandidoj prapë, përgjegja ime është e thjeshtë: Është qyteti im. Këtu jam rritë. Këtu jetoj. Këtu është e ardhmja jonë. Na takon neve, qytetarëve te Prishtinës, të bëhemi bashkë për të”, ka deklaruar Ismaili.
“Nuk mundemi me pritë deri sa të tjerët bëjnë eksperimente që e bllokojnë jetën në qytet,” shton ai, duke theksuar se, për të, t’i shërbejë Prishtinës – mbetet nderi më i madh i jetës së tij.
“Është koha për Prishtinën, e unë nuk e kam ndërmend me u dorëzu,” përfundon ai në video duke i ftuar të gjithë të bëhen bashkë për ndryshimin.