”Unë jam vetë grua” në turne në pesë qytete të Kosovës

Shfaqja “Unë jam vetë grua” nga Doug Wright, me regjisorin Kushtrim Koliqi dhe me aktorin Adrian Morina, rikthehet pas disa viteve, kësaj radhe me turnenë “Zgjerimi i skenës për barazi – Unë jam vetë grua” në pesë qytete të Kosovës dhe atë në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Prizren.

”Unë jam vetë grua” përqëndrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania që i ka mbijetuar sistemit Nazist dhe Stasit.

Shfaqja fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Wright me transigjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar ‘I am my own wife’.

Për portretizimin e plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme.

Titulli i shfaqjes ka dalur nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?” së cilës pyetje Charlotte iu përgjigj “Kurrë, mama. Unë jam martuar me veten”.

Sipas Wright, në fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë – një e mbijetuar nga nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore. Sidoqoftë, po ashtu bëhet e qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurtë kërkonte bërjen e shumë zgjedhjeve të dyshimta morale. Për të kontekstualizuar këtë aftësi për të mbijetuar, shfaqja “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e Charlottes, por sipas Hedy Weiss të Chicago Sun-Times, ajo gjithashtu krijon “një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar dhe një meditim intrigues për gjithçka.

Ky tekst është shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent regjisor Bashkim Ramadani, video realizator Lum Çitaku dhe dizajner i dritave Skender Latifi.

“Unë jam vetë grua” e ka pasur premierën në vitin 2019 në Prishtinë dhe që nga atëherë ka marrë pjesë në shumë festivale teatrore. Eshtë realizuar nga Integra në bashkëprodhim me Miza n’skenë, në bashkëpunim me CDF, The Global Fund, Rockefeller Brother Funds, Teatrin Dodona dhe Komunën e Prishtinës dhe është mbështetur nga ‘Kultura për ndryshim’ që është financuar dhe menaxhuar nga Bashkimi Evropian ndërsa është implementuar nga Qendra Multimedia e Goethe Institute.

Turneja “Zgjerimi i skenës për barazi – Unë jam vetë grua” realizohet nga Integra dhe mbështetet përmes projektit më të gjerë “Së bashku për barazi LGBTIQ+”, të udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CCE) në partneritet me ERA – Shoqata për të Drejtat e Barabarta LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Shqipëri dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD nga Kosova. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

“Zgjerimi i skenës për barazi – Unë jam vetë grua” fillon rrugëtimin në Prizren si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest 2025 dhe do të shfaqet të premten, më 25 korrik, 2025, në Teatrin “Bekim Fehmiu”, duke filluar prej orës 20:00. Hyrja është gratis.