Turqia: Veprimet e pakontrolluara të Izraelit destabilizojnë rajonin, nevojitet ndalim i menjëhershëm
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë ka deklaruar se veprimet e pakontrolluara të Izraelit po destabilizojnë rajonin dhe po shkaktojnë kaos dhe se duhet të ndalen menjëherë për të shmangur pasoja të pakthyeshme, transmeton Anadolu.
“Forcat dhe personeli turk në territorin sirian, të dërguar atje për misione kundër terrorizmit përgjatë kufirit, nuk janë përballur me ndonjë pengesë pas sulmeve ajrore izraelite ndaj Sirisë”, tha zëdhënësi i ministrisë, Zeki Aktürk, gjatë një deklarate për gazetarët në kryeqytetin Ankara.
“Izraeli, që ka zhytur rajonin në kaos me qëndrimin që nuk njeh kufij, duhet t’i japë fund menjëherë iniciativave agresive që mund të kenë pasoja të pakthyeshme në rajon”, theksoi ai.
Dje, ushtria izraelite kreu sulme ajrore ndaj kryeqytetit sirian Damask, si dhe në provincat Suwayda dhe Daraa, me justifikimin e mbrojtjes së komunitetit druz.
Një tjetër sulm raportohet se ka ndodhur herët mëngjesin e sotëm mbi një bazë ushtarake siriane.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Sirisë, sulmet kanë shkaktuar mbi 30 të vdekur dhe gati 100 të plagosur.