Trump i kërcënohet Brazilit me tarifa prej 50%: kërkon të ndalet gjykimi ndaj Bolsonaros

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife prej 50% për mallrat e prodhuara në Brazil, duke i ashpërsuar më tej marrëdhëniet me këtë vend të Amerikës së Jugut.

Ai e publikoi planin për tarifat përmes një letre që e ndau në rrjetet sociale. Në letër, Brazili akuzohet për “sulme” ndaj kompanive teknologjike amerikane dhe për një “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit ultra-djathtist Jair Bolsonaro, i cili po përballet me akuza penale për rolin e tij të dyshuar në përpjekjen për të anuluar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva u përgjigj përmes rrjeteve sociale se Brazili do të hakmerret nëse SHBA vendos tarifa dhe paralajmëroi që të mos ndërhyhet në drejtësinë braziliane. Trump gjithashtu u përplas me Lulën më herët gjatë kësaj jave për shkak të gjyqit ndaj Bolsonaros. Në atë rast, Lula deklaroi se Brazili nuk do të pranojë ndërhyrje të jashtme, duke theksuar: “Askush nuk është mbi ligjin”.

Po ashtu, Trump njoftoi të njëjtën ditë se tarifa 50% për importin e bakrit, e paralajmëruar më herët këtë javë, do të hyjë në fuqi më 1 gusht. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se vendimi është marrë për arsye të sigurisë kombëtare.

Këtë javë, Trump ka dërguar 22 letra drejt vendeve në mbarë botën, përfshirë partnerë tregtarë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Sri Lanka, duke paralajmëruar tarifa të reja që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Shumica e masave janë vazhdim i planeve që Trump i kishte paraqitur në prill, por që ishin shtyrë për shkak të reagimeve të tregut.

Mesazhi drejtuar Brazilit ishte dukshëm më i ashpër, duke paralajmëruar një rritje të madhe nga tarifa e mëparshme e shpallur prej 10% për mallrat braziliane. Ndryshe nga shumë vende të tjera, Shtetet e Bashkuara kishin suficit tregtar me Brazilin vitin e kaluar – eksportuan më shumë mallra sesa importuan nga ky vend.