Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se do ta ndëshkojë Rusinë me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Presidenti republikan e bëri këtë njoftim gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Do të vendosim tarifa shumë të rënda, nëse nuk kemi marrëveshje brenda 50 ditëve”, tha Trump.
Ai nuk dha hollësi për mënyrën se si do të zbatoheshin tarifat.
“Unë e përdor tregtinë për shumë gjëra” shtoi ai. “Por, ajo është mënyrë shumë e mirë për t’i zgjidhur luftërat”.
Rutte synon gjithashtu të zhvillojë bisedime me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Hegseth, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si edhe me anëtarë të Kongresit.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, u takua më herët gjatë ditës në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të biseduar rreth mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
“Biseduam për rrugën drejt paqes dhe çfarë mund të bëjmë së bashku më saktësisht për të ardhur më afër paqes. Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin dhe blerjen e përbashkët të armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën”, shkroi Zelensky në X.
Kievi dhe qytete të tjera në Ukrainë janë vënë në shënjestër të sulmeve të shumta ajrore nga forcat ruse javët e fundit, duke i zemëruar Trumpin dhe zyrtarë të tjerë në Uashington, të cilët kanë filluar të dyshojnë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka vërtet për qëllim të zhvillojë bisedime për paqe për t’i dhënë fund konfliktit më të gjatë dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Trump, i cili ka folur me Putinin gjashtë herë me telefon që kur mori detyrën, ka shprehur gjithnjë e më shumë zhgënjim për refuzimin e Putinit për të rënë dakord për një armëpushim.
Kritikat më të ashpra të Trumpit ndaj Putinit janë të dukshme, pasi ai ka një histori komentesh pozitive dhe lavdëruese për liderin rus. Trump e ka quajtur atë të “mençur” dhe vitin e kaluar tha se kishte “marrëdhënie shumë të mira” me Putinin.
Javën e kaluar, Trump kritikoi hapur Moskën sërish.
“Jam i zhgënjyer me Rusinë, por do të shohim çfarë ndodh në javët në vijim”, i tha ai NBC News./rel