Tri bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë ulje të tarifave për shërbimet pagesore

Tri bankat më të mëdha në vend do të shpallin së shpejti tarifarë të rinj me tarifa të reduktuara për shërbimet pagesore, njoftoi guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, dr. Trajko Slaveski, në një intervistë për emisionin Triling, përcjell Flaka. Kjo është një lajm pozitiv që vjen pas një dialogu intensiv që Banka Popullore ka zhvilluar me sektorin bankar me qëllim përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime më efikase dhe më të përballueshme.

Guvernatori Slaveski sqaroi se si pjesë e përpjekjeve për të rritur efikasitetin në pagesat ndërbankare, është ndërmarrë një reformë thelbësore në sistemin MIPS – sistemin për përpunimin e pagesave ndërbankare.

“Ndërhyrja jonë në MIPS ka liruar mjete të konsiderueshme për bankat dhe ka ulur ndjeshëm shpenzimet e tyre operative. Kjo krijoi hapësirë që një pjesë e atyre kursimeve të transferohen te klientët, përmes uljes së tarifave, dhe këtë tashmë e shohim si rezultat konkret”, theksoi guvernatori Slaveski.

Ai shtoi se edhe pse Banka Popullore ka rol rregullator, ajo ndjek një qasje bashkëpunuese dhe partnere me sektorin bankar, me synim përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kënaqësisë së përdoruesve.

“Po bisedojmë me bankat që të shkojmë edhe një hap më tej – drejt një politike tarifore të arsyeshme dhe përgjegjëse shoqërore. Kjo nuk është vetëm në interes të klientëve, por edhe të vetë bankave, të cilat përmes këtij lloj qasjeje e forcojnë reputacionin dhe besimin e publikut”, u shpreh guvernatori.

Sipas tij, liberalizimi i tregut financiar dhe promovimi i konkurrencës do të sjellin presion të mëtejshëm për uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset.

“Sygjerimet pozitive që tashmë i marrim janë rezultat i një dialogu të bazuar në argumente dhe partneritet me sektorin bankar. Presim që edhe bankat e tjera të ndjekin këtë shembull”, deklaroi Slaveski.

Banka Popullore, përfundoi guvernatori, do të vazhdojë të punojë për ndërtimin e një kornize rregullative që nxit zhvillimin e shërbimeve financiare cilësore dhe të qasshme për të gjithë qytetarët dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut.