Tragjedia që preku Anfieldin – Homazhi i Liverpoolit për Diogo Jotën pas vdekjes së tij

Liverpooli është përgatitur të nderojë kujtimin e Diogo Jotës, sulmuesit portugez që humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në javen e shkuar.

Të hënën në mbrëmje, LFCTV do të rikthehet në transmetim për herë të parë që nga ndarja nga jeta e Jotës, me një emision të veçantë përkujtimor, i cili do të pasqyrojë momentet më të bukura nga karriera e tij dhe ndikimin që ai pati në klub.

Jota, 28 vjeç, ishte pjesë e Liverpoolit që nga viti 2020 dhe ishte një figurë shumë e dashur në Anfield. Ai dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën të enjten, më 3 korrik, në Spanjë, gjatë një udhëtimi për t’u kthyer në Angli për fazën përgatitore të sezonit të ri.

Sipas raporteve, automjeti i tyre doli nga rruga pas një shpërthimi të gomës.

Pas tragjedisë, kanali zyrtar i klubit ka shfaqur një homazh vizual, përfshirë një deklaratë zyrtare dhe një imazh bardh e zi të Jotës, ndërsa në rrjetet sociale është publikuar edhe një video prekëse përkujtimore.

Emisioni përkujtimor i së hënës pritet të sjellë mesazhe nga bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët, si dhe pamje të paharrueshme nga kontributi i Jotës në fanellën e kuqe.

Klubi ka kërkuar respektimin e privatësisë për familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e Jotës gjatë kësaj periudhe të dhimbshme, ndërsa nderimi i tij do të mbetet një dëshmi e ndikimit të madh që ai pati brenda dhe jashtë fushës.