Pas përfundimit të “Luftës së 12 ditëve”, regjimi iranian ka shpërthyer me një valë represioni të pashembullt ndaj qytetarëve të vet. Prej 24 qershorit, rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve janë mbushur me lista të të arrestuarve, të zhdukurve dhe të vrarëve. Mesazhe paralajmëruese si “Kujdes në pikën e kontrollit” apo “Dy djem kurdë mungojnë” qarkullojnë pa pushim, ndërsa njerëzit përpiqen të gjurmojnë të afërmit ose të shmangin arrestimin.
Një gazetar iranian, për “Corriere della Sera”, shkruan: “Kur nisën bombardimet izraelite mbi Teheranin, e kemi paralajmëruar: nëse regjimi islamik mbetet në këmbë, do të kthehet kundër nesh. Dhe kështu ndodhi”.
I dobësuar jashtë vendit, regjimi i Ali Khameneit ka rikthyer me egërsi represionin brenda kufijve. Pas armëpushimit më 24 qershor, arrestimet janë intensifikuar në të gjithë vendin. Çdokush që shihet si disident apo që ka bërë një postim kritik në rrjetet sociale akuzohet për “bashkëpunim me armikun”, Izraelin, SHBA-të apo Mossad-in.
Në javët e fundit janë burgosur mbi 1.000 persona. Vetëm gjatë operacioneve të fundit policore janë arrestuar 50 të dyshuar për bashkëpunim me Izraelin, kryesisht në rajonet kurde dhe baluçe, ku veprojnë lëvizje separatiste. Opozita raporton për presion të madh ndaj komuniteteve hebraike dhe Bahá’í, të cilat regjimi i sheh si të dyshuara për lidhje me “sionistët”.
Parlamenti iranian ka miratuar një ligj që parashikon dënimin me vdekje për të gjithë ata që akuzohen për spiunazh, ndërsa proceset gjyqësore zhvillohen pa transparencë dhe pa avokatë të pavarur.
“Si një kafshë e plagosur, Republika Islamike reagon ndaj kërcënimit me një brutalitet ekstrem,” deklaron Hadi Ghaemi nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran. “Autoritetet arrestojnë pa shkak dhe dënojnë qytetarët me akuza për ‘rrezik për sigurinë kombëtare’, si një mjet frikësimi masiv.”
Në të njëjtën kohë, Teherani vazhdon të përdorë pengmarrjen e qytetarëve perëndimorë si mjet presioni ndaj vendeve të BE-së. Dy studiuesit francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të burgosur prej tre vitesh në burgun famëkeq Evin, tashmë rrezikojnë dënimin me vdekje nën akuzat për “spiunazh dhe komplot për rrëzimin e regjimit”.
Ndërkohë, mbi 256 mijë afganë janë dëbuar gjatë qershorit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë arrestuar me akuzën e spiunazhit për Izraelin.
Në Iran, interneti fiket në mënyrë të përsëritur për të ndalur përhapjen e informacionit, ndërsa qytetarët jetojnë nën frikën e përhershme të dhunës dhe ekzekutimeve arbitrare.