Një panik e papritur përfshiu koloninë e luanëve të detit në ishullin Antsiferov, kur toka nisi të dridhej nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballësh të Rihterit.
Ishulli i vogël dhe i pabanuar, i vendosur pranë brigjeve të gadishullit Kamchatka në lindjen e largët të Rusisë, është një nga habitatet natyrore më të rëndësishme për luanët e detit të llojit Steller – një specie e madhe dhe e rrallë, që tashmë konsiderohet si gati e rrezikuar.
Në çastet kur tërmeti goditi, u dëgjuan zhurma të forta dhe gurë nisën të rrëshqisnin nga shpatet e pjerrëta të ishullit.
Të alarmuar nga lëkundjet dhe rënia e shkëmbinjve, qindra luanë të detit u hodhën me shpejtësi në ujë, duke kërkuar strehë në thellësitë e detit, larg rrezikut që vinte nga toka.
Pamjet dramatike të ngjarjes u regjistruan nga një turist që po lundronte me një anije të vogël pranë ishullit, gjatë një ekskursioni natyror.
Në video dallohet qartë se si kafshët, të zakonisht qeta dhe të shtrira në brigje për t’u ngrohur në diell, nisin të lëvizin të shqetësuara dhe më pas të zhduken njëra pas tjetrës në det, nën trysninë e frikës dhe instinktit për mbijetesë.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim mes studiuesve të jetës detare, të cilët prej kohësh e ndjekin nga afër gjendjen e popullsisë së luanëve të detit Steller në këtë rajon. Edhe pse ishulli është i pabanuar dhe nuk raportohen dëme njerëzore, tërmeti mund të ketë pasoja afatgjata për ekosistemin e brishtë të Antsiferovit.
Luanët e detit Steller janë ndër gjitarët më të mëdhenj detarë të hemisferës veriore dhe janë thelbësorë për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik në këtë pjesë të Paqësorit. Ngjarje të tilla natyrore, edhe pse të paparashikueshme, na kujtojnë se sa të ndërlidhur janë fatet e jetës së egër me forcat e natyrës.