Tensione në Theth: Gruas i bie të fikët gjatë përplasjes me IKMT dhe policinë

Një grua ka humbur ndjenjat në Theth gjatë përplasjes mes banorëve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe policisë, të cilat kanë shkuar në zonë për të shembur objektet pa leje.


Pamjet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë momentin kur gruaja merret në krahë nga familjarët e saj dhe transportohet drejt ambulancës së Thethit për të marrë ndihmën mjekësore.

Situata në zonë është tensionuar pas rezistencës së banorëve ndaj forcave të rendit, duke detyruar autoritetet të shtojnë prezencën e efektivëve të policisë. Më herët, përplasjet mes banorëve dhe IKMT-së sollën pezullimin e përkohshëm të shembjes së ndërtimeve gjatë ditës së mërkurë.

Të enjten në mëngjes, në Theth ishte e pranishme edhe drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila kërkoi që operacioni të vijojë me ritme më të shpejta. Sipas zyrtarëve të IKMT-së, në këtë zonë janë identifikuar rreth 70 deri në 80 objekte pa leje që duhet të shemben.

Fillimisht, aksioni ishte planifikuar të zgjasë 5 ditë, por autoritetet paralajmërojnë se procesi mund të zgjasë më shumë për shkak të rezistencës së banorëve. Për të përshpejtuar shembjet, IKMT ka sjellë në zonë edhe një fadromë tjetër.