Të paktën 28 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Të paktën 28 palestinezë, përfshirë katër fëmijë, janë vrarë të shtunën nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ka raportuar Associated Press.

Katër fëmijë dhe dy gra ishin në mesin e 13 personave të vrarë në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, pasi zona u godit nga sulme të rënda ajrore që nisën të premten në mbrëmje, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Spitalit të Martirëve Al-Aqsa

Katër persona të tjerë u vranë pranë një stacioni të karburantit, teksa 15 të tjerë humbën jetën nga sulmet në Khan Younis, në jug të Gazës, bazuar në njoftimin e Spitalit Nasser.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se gjatë 48 orëve të fundit, trupat e saj kanë goditur rreth 250 objektiva në Rripin e Gazës, përfshirë militantë, depo armësh, pozicione për lëshimin e raketave antitank, poste snajperësh, tunele dhe infrastrukturë tjetër të Hamasit.

Mes tjerash, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar të shtunën se mungesa e karburantit në enklavën palestineze ka arritur në nivele kritike.

Në njoftim thuhet gjithashtu se furnizimi me karburant është i domosdoshëm për të transportuar mallra thelbësore në të gjithë Rripin e Gazës dhe për të mbajtur në funksion rrjetin e furrave të bukës që sigurojnë ushqim për popullatën e uritur.

Sipas OKB-së, mungesa e karburantit nënkupton se “burimet jetike do të zhduken për 2.1 milionë njerëz”, të cilët, “po qëndrojnë në prag të urisë së skajshme”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo