Taravari: Shqiptarët janë në ditët e tyre më të errëta – VLEN harroi pse erdhi në pushtet

Shqiptarët aktualisht janë në ditët e tyre më të errëta në Maqedoninë e Veriut, ndërsa VLEN ka harruar se në pushtet erdhi për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve.

Këto deklarata të forta ndaj VLEN-it i dha kryetari i ASH-së, Arben Taravari, në një intervistë për “Bota sot”, duke shpjeguar arsyet që e çuan të largohet nga qeveria.

Sipas tij, një ndër arsyet ishte se kjo qeveri ka kaluar vijat e kuqe duke e larguar vendin nga rruga drejt BE-së.

“Metamorfoza e shpejtë dhe e pabesueshme që ndodhi te kolegët e VLEN-it, të cilët harruan se kishin ardhur në pushtet për të ndërtuar një shtet më të mirë për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët… dhe e dyta, largimi i politikave qeveritare nga rruga e BE-së. Këto ishin dy shkaqet kryesore të cilat, siç po shihet dita-ditës, janë kthyer në një alarm të kuq”, theksoi Taravari.

Për sa i përket pozitës së shqiptarëve, Taravari pohon se ata po përballen me një situatë të rëndë që ka tërhequr vëmendjen edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Shqiptarët janë në ditët e tyre më të errëta dhe ka një shqetësim në rritje nga ndërkombëtarët për ndikimin rus dhe serb në vendin tonë”, deklaroi ai.