Taravari: Po i vjen fundi dinastisë Mexhiti në Çair

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka deklaruar se periudha e gjatë e sundimit politik të Izet Mexhitit në Komunën e Çairit është drejt përfundimit. Ai këto komente i bëri të sonte në “Plus Vesti” në Kanal 5, ku foli për përgatitjet e partisë së tij për zgjedhjet lokale të vjeshtës.

“Pas ndodhive të fundit në komunën e Çairit, mendoj se ajo dinasti e Izet Mexhitit, që është më shumë se pesë mandate aty apo rreth 20 vite, do të ndërrohet si strukturë. Megjithatë, e përsëris se është qytetari ai i cili në fund të ditës vendos,” tha Taravari.

Ai theksoi se në zgjedhjet lokale të tetorit, Aleanca Kombëtare për Integrim — siç pritet të quhet koalicioni mes ASH-së me Forntin Evropian për zgjedhjet lokale — pritet të fitojë bindshëm përballë koalicionit VLEN.

“Sipas analizave tona, në shumë komuna do të ketë raport fitoreje më shumë se 2 me 1 në favor të Aleancës Kombëtare për Integrim ndaj VLEN-it,” u shpreh Taravari.

Kryetari i ASH-së gjithashtu e cilësoi koalicionin opozitar VLEN si të paqëndrueshëm, duke vënë në pikëpyetje kohezionin dhe kapacitetin e tij për të ofruar alternativë serioze.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti, ndërsa gara në komunën e Çairit konsiderohet një nga më të rëndësishmet për votën shqiptare në vend.

Ndryshe, në Çair tashmë është zyrtare se Aleanca Kombëtare për Integrim do garojë me ish ministrin e punëve të jashtme, Bujar Osmani, kurse VLEN pritet të garojë me njërin nga liderët e saj dhe zv.kryeministrin Izet Mexhiti.