Taksistët janë të detyruar të lëshojnë kuponë fiskalë, DAP u bën thirrje qytetarëve të raportojnë në 198 nëse nuk marrin faturë

Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë nëse taksistët nuk u japin kuponë fiskalë. Çdo informacion për parregullsi që lidhen me transportin me taksi ose moslëshimin e kuponëve fiskalë në çfarëdo veprimtarie, mund të raportohet në numrin falas 198 ose në [email protected].

Nga DAP theksojnë se çdo shofer taksie është i detyruar të lëshojë kupon fiskal, dhe paralajmërojnë kontrolle të shtuara.

“Kontrollet do të realizohen në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente në të gjithë vendin, veçanërisht në rajonet turistike, ku gjatë sezonit veror rritet numri i udhëtarëve dhe aktiviteti i taksistëve,” thonë nga DAP.

Tatimpaguesit që kryejnë transport me taksi janë të detyruar të përdorin aparate fiskale mobile me pajisje të integruar GPRS, të regjistrojnë qarkullimin e realizuar në pajisjen fiskale, të lëshojnë kupon fiskal për çdo shërbim me pagesë në para të gatshme dhe të evidentojnë qarkullimin në librin e raportit ditor financiar për çdo arkë fiskale veç e veç.