Pas sulmit izraelit ndaj Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza, Papa Leo XIV dhe Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu biseduan në telefon, me Papën që riafirmoi nevojën urgjente për të mbrojtur vendet e kultit dhe për të arritur një armëpushim.
Mes trazirave të vazhdueshme në Tokën e Shenjtë, Papa Leo XIV dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu folën në telefon të premten.
Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për negociata dhe armëpushim në Gaza, sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
“Në mëngjes, Ati i Shenjtë Leo XIV mori një telefonatë në rezidencën në Castel Gandolfo nga Shkëlqesia e Tij Z. Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit, pas sulmit ushtarak nga ushtria izraelite dje që goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe duke plagosur të tjerë, disa prej tyre rëndë”, tha Zyra e Shtypit në një deklaratë.
“Gjatë bisedës”, vinte në dukje ajo, “Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për një ringjallje të negociatave dhe arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e luftës”.
Për më tepër, shtoi ajo, Papa Leo “shprehu edhe një herë shqetësimin e tij për situatën dramatike humanitare të popullsisë në Gaza, bilanci i të cilës po rëndohet veçanërisht nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”.
“Së fundmi,” përfundonte deklarata, “Ati i Shenjtë përsëriti urgjencën e mbrojtjes së vendeve të adhurimit dhe, mbi të gjitha, të besimtarëve dhe të të gjithë njerëzve në Palestinë dhe Izrael.”
Kisha e Familjes së Shenjtë, e vetmja kishë katolike në Gaza, u godit nga Izraeli të enjten në mëngjes, duke rezultuar në tre të vdekur dhe 10 të plagosur, përfshirë priftin e famullisë, At Gabriel Romanelli.
Në një deklaratë, Patriarkana Latine në Jerusalem u bëri thirrje udhëheqësve “të ngrenë zërin dhe të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të ndaluar këtë tragjedi, e cila është e pajustifikuar nga ana njerëzore dhe morale”./ Vatican News.