Spanjë/ Dy persona janë zhdukur për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme në Katalonjë

Dy persona rezultojnë të zhdukur në Katalonjë, në verilindje të Spanjës, pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën zonën pasditen e djeshme (të shtunën), duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në disa rajone dhe ndërprerje të linjave hekurudhore për disa orë.

“Jemi në kërkim të dy personave në qytetin Kubeljes“, një komunitet me rreth 17,000 banorë, rreth 50 kilometra larg Barcelonës, njoftoi shërbimi zjarrfikës përmes platformës X (ish-Twitter).

“Sipas informacioneve të para, ata janë marrë nga ujërat e furishme të lumit Fosh”, i cili derdhet në Detin Mesdhe, shpjegoi një zëdhënës, duke shtuar se ekipet janë në kërkim përgjatë brigjeve dhe në zonën e derdhjes së lumit.

Ky njoftim erdhi në kohën kur në verilindje të Spanjës ranë reshje të mëdha shiu që nga pasditja e së shtunës, veçanërisht në Katalonjë, ku autoritetet shpallën alarm të kuq dhe dërguan mesazhe paralajmëruese në telefonat e banorëve.

Shirat shkaktuan përmbytje të menjëhershme, përfshirë në një spital në Barcelonë, i cili u detyrua të ndalojë pranimin e pacientëve të rinj për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Në aeroportin e Barcelonës, një avion që sapo ishte nisur drejt SHBA-së u detyrua të kthehej për shkak të dëmtimeve në pjesën e përparme nga breshëri.

Stuhia detyroi kompaninë hekurudhore RENFE të pezullojë për disa orë të gjitha linjat në Katalonjë, përfshirë trenat me shpejtësi të lartë, ato rajonalë dhe periferikë.

Shërbimet e emergjencës ofruan ndihmë për mbi 70 persona, megjithatë, sipas njoftimit të tyre, asnjëri nuk ishte në gjendje të rëndë. Alarmi i kuq, i shpallur rreth orës 17:00, u hoq rreth orës 19:00.

Përveç Katalonjës, reshjet e dendura goditën edhe zona të tjera në veri dhe lindje të Spanjës, përfshirë Aragoninë, ku u angazhua Njësia Ushtarake për Menaxhimin e Emergjencave (UME), si dhe Valencias.

Valencia përjetoi një tragjedi në fund të tetorit, kur shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan 227 viktima. Autoritetet, sidomos ato rajonale, u kritikuan ashpër për mungesë përgatitjeje dhe reagim të vonuar.