Sopi: Gjithandej ka kërcënime dhe luftëra, nuk ka luks që institucionet tona të shtyhen për çështje politike
Nënkryetar i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi ka bërë thirrje që të përfundojë konstituimi i Kuvendit të Kosovës deri më datë 26.
Në emisionin “Edicioni Special” , Sopi ka theksuar se partitë politike në vend duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që të formohen institucionet e reja të vendit.
Ai tha se në këtë kohë kur gjithandej ka kërcënime dhe luftëra, nuk ka “luks që institucionet tona të shtyhen për çështje politike, të mosmarrëveshjeve të tyre”.
“Ne konsiderojmë se nuk e kemi luksin në këtë botë të trazuar, në këtë botë ku kemi kërcënime luftëra, ndërsa institucione tona të qëndrojnë dhe të shtyhen për çështje politike të mosmarrëveshjeve të tyre, siç dihet shteti dhe parlamenti ynë është i ndërtuar në atë bazë se është Republikë parlamentare që partitë politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të formojnë institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Sopi.
Ndryshe, Sopi nënvizoi se nuk mbajnë anë politike dhe fajësojnë të gjithë deputetët që kanë marrë vota, por thekson se përgjegjësia më e madhe bie tek partia e parë.
Ai paralajmëroi se si OVL-UÇK nuk do të qëndrojnë duarkryq.