Snopçe: Kurrë më parë nuk kemi paguar kaq shtrenjtë për produktet bazë, Qeveria po e thellon varfërinë

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve dhe qasjes së qeverisë ndaj krizës ekonomike, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme për qytetarët.

“Nuk ka pasur asnjëherë më parë një gjendje të tillë ekonomike. Produktet bazë po i paguajmë më shtrenjtë se kurrë më parë. Çmimet po rriten në mënyrë marramendëse dhe këtë e sheh secili qytetar, mjafton të hyjë në një dyqan. Nuk ka nevojë për statistika për të kuptuar se sa keq është gjendja,” u shpreh Snopçe.

Sipas tij, rritja e çmimeve në Maqedoninë e Veriut është mbi mesataren europiane dhe shumë më e lartë se në vendet e rajonit.

“Varfëria po rritet ndjeshëm. Mesatarisht, një qytetar në vend harxhon vetëm 5 dollarë në ditë, ndërsa 40% e të gjithë shpenzimeve të një familjeje shkojnë vetëm për ushqim – që është dy herë më shumë se mesatarja europiane,” shtoi ai.

Snopçe theksoi se qeveria ka dështuar në kontrollin e tregut dhe në mbrojtjen e shtresave më të cenueshme të shoqërisë.

“Qeveria është e kapur në retorikë boshe dhe nuk po ofron asnjë zgjidhje konkrete për qytetarët që çdo ditë e më shumë po e ndjejnë peshën e krizës ekonomike”, shtoi ai.