Gjysma e banesave në vend blihen me para në dorë, alarmon guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, në një intervistë për revistën “Triling”.
“Para pandemisë, në vitin 2019, raporti i blerjes së banesave dhe objekteve për banim ishte më i favorshëm në aspekt të kreditimit – 65% bliheshin me kredi, ndërsa 35% me para në dorë. Tani, sipas informacioneve të mia nga kolegët në Bankën Popullore, raporti është 50 me 50. Sigurisht që ia vlen të shqyrtohet se nga vijnë këto mjete. Ne nuk mund të spekulojmë, ndoshta një pjesë vjen nga kursimet”, tha Slaveski.
Ai shtoi se është e njohur gjerësisht që një pjesë e mirë e të rinjve, sidomos ata në fushat fitimprurëse të teknologjisë informative, të cilët punojnë për klientë të huaj, i marrin të ardhurat në llogari bankare jashtë vendit dhe më pas tërheqin para në dorë që i sjellin në Maqedoni.
“Për burime të tjera të mjeteve, mbetet që organet kompetente t’i përcaktojnë – thotë Slaveski.
Ajo që ne si Bankë Popullore mund të ndikojmë përmes politikës monetare dhe kreditore është kreditimi. Kur flasim për kreditimin, nuk është vetëm për blerësit, por duhet të shihet edhe kreditimi i ndërtuesve në biznesin e banesave. Gjithçka tjetër, një pjesë sigurisht është pjesë e ekonomisë informale, sepse ka indikacione se edhe furnizimi me materiale ndërtimore, pagesat e kompenzimeve ose pagave të punëtorëve ndonjëherë bëhen në para të gatshme – por mbetet që institucionet e tjera ta konstatojnë këtë. Këtu janë Policia Financiare dhe Ministria e Financave, të cilët bashkë me Bankën Popullore janë të obliguar të investojnë maksimumin e resurseve për të parandaluar pastrimin e parave”, përfundoi Slaveski.