Shefi i OpenAI, Sam Altman: Inteligjenca artificiale mund të sjellë një krizë globale të mashtrimeve

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, paralajmëroi se bota së shpejti mund të përballet me një krizë serioze mashtrimesh, për shkak të mënyrës se si inteligjenca artificiale (IA) po u mundëson aktorëve keqdashës të shtiren si njerëz të tjerë.

“Një gjë që më tmerron është fakti që ende ka institucione financiare që përdorin vetëm verifikim zanor për identitetin. Jep një frazë dhe ata e miratojnë transferin e parave. Kjo është e çmendur”, tha Altman në një ngjarje të organizuar nga Banka Qendrore e SHBA-së. Ai shtoi se IA tashmë i ka tejkaluar shumicën e metodave ekzistuese për verifikim identiteti – përveç fjalëkalimeve.

Duke folur përpara përfaqësuesve të institucioneve të mëdha financiare amerikane, Altman u ndal edhe në ndikimin më të gjerë të IA-së mbi ekonominë dhe shoqërinë. Kjo paraqitje vjen pak para se Shtëpia e Bardhë të publikojë “Planin e Veprimit për Inteligjencën Artificiale”, dokument që do të përcaktojë politikat amerikane për rregullimin e kësaj teknologjie dhe për forcimin e dominimit amerikan në këtë fushë.

OpenAI tashmë ka dhënë rekomandime për këtë plan dhe ka rritur angazhimin në Uashington. Kompania njoftoi se në fillim të vitit të ardhshëm do të hapë zyrën e saj të parë në kryeqytetin amerikan, ku do të punojnë rreth 30 persona, nën drejtimin e Chan Park (për çështje globale për SHBA dhe Kanada) dhe Joe Larson, ish-pjesëtar i kompanisë së mbrojtjes Anduril.

Kjo zyrë do të shërbejë edhe si qendër edukimi për zyrtarët dhe mësimdhënësit, për prezantimin e teknologjive të reja, si dhe për hulumtimin e ndikimit të IA-së në ekonomi dhe në qasjen e njerëzve ndaj teknologjisë.

Edhe pse Altman pranon rreziqet, OpenAI kundërshton rregullimin e tepërt që mund të imponohet nga administrata e Donald Trump. Në fillim të korrikut, Senati votoi për të hequr një nen të diskutueshëm nga paketa ligjore e propozuar nga Trump, e cila do t’u ndalonte shteteve federale të miratonin ligje të veta për IA për një periudhë 10-vjeçare.

Altman nuk është i vetëm në shqetësimet e tij. FBI që vitin e kaluar ka paralajmëruar për mashtrime me zë dhe video të klonuar me IA. Prindër të ndryshëm kanë raportuar raste ku keqbërës kanë përdorur IA për t’i bërë të besojnë se fëmijët e tyre janë në rrezik.

Së fundmi, autoritetet amerikane raportuan se dikush imitoi zërin e sekretarit të shtetit Marco Rubio me IA dhe kontaktoi ministra të jashtëm, guvernatorë dhe kongresmenë.

“Jam vërtet i shqetësuar se na pret një krizë e madhe me mashtrime”, tha Altman. “Sot kemi thirrje telefonike me zë të rremë, së shpejti do të kemi edhe thirrje video apo FaceTime që nuk do të mund t’i dallojmë nga realiteti.”

Ai theksoi se OpenAI nuk zhvillon mjete për imitimin e njerëzve, por paralajmëroi se bota duhet të përballet urgjentisht me këtë sfidë. Ai mbështet pajisjen The Orb, një teknologji që synon të ofrojë “dëshmi që je njeri” në një hapësirë digjitale gjithnjë e më të mbushur me përmbajtje të krijuar nga IA.

Altman po ashtu shprehu shqetësim për rreziqet nga sistemet e superinteligjencës artificiale. Ai përmendi mundësinë që shtete armiqësore, si Kina, të zhvillojnë dhe përdorin IA shumë të avancuar përpara se pjesa tjetër e botës të ketë kapacitet mbrojtjeje – për shembull, për të sulmuar rrjetin elektrik amerikan ose për të krijuar armë biologjike.

Sipas tij, ekziston edhe rreziku që njerëzit të humbasin kontrollin mbi këto sisteme ose t’u japin tepër pushtet për vendimmarrje.