Seanca konstituive do të vazhdojë sonte në orën 20:00

Gazeta Sinjali raportoi më herët detaje të reja lidhur me alarmimin për vendosjen e një bombe në Kuvendin e Kosovës, ngjarje që ka paralizuar objektin e kuvendit dhe ka aktivizuar të gjitha njësitë e sigurisë në terren.

Siç raportoi Sinjali, mesazhi kërcënues në gjuhën angleze ka arritur përmes mesazhi të Kuvendit të Kosovës, konkretisht në adresën e një punëtoreje në zyrën e Kryetarit Glauk Konjufca.

Këtë informacion e konfirmoi edhe zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, i cili tha se alarmi ishte bërë nga një person që ka kërcënuar në gjuhën angleze.

Sipas tij, personi ka deklaruar se një bombë ishte vendosur në ndërtesë dhe do të shpërthente brenda 10 minutash, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm.

“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash”, ka thënë ai.

Seanca konstituive, e cila u pezullua për shkak të alarmit, do të vazhdojë në orën 20:00.