Saliu: VLEN pagoi çmimin për aleancën me VMRO – opozita shqiptare hyn në zgjedhje si favorit

Analisti politik Urim Saliu ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur veçanërisht te rezultatet e sondazhit të fundit dhe efektet që ato kanë në pozicionimin e subjekteve politike shqiptare. Në një deklaratë për media, Saliu thekson se rezultati i lartë i VMRO-DPMNE-së në sondazh është një realitet që nuk mund të mohohet dhe pikërisht kjo rrit besueshmërinë e sondazhit.

“Anketa do ishte mosbesuese nëse nuk do dilte një rezultat kaq i madh i VMRO-së, një fakt që askush nuk mund ta mohojë. Kjo për shkak edhe të politikave të Mickoskit, më shumë si lider partie që po realizon premtimet ndaj mbështetësve të tij,” deklaron Saliu.

Ai thekson se këtë rritje të VMRO-së po e paguajnë aleatët shqiptarë në pushtet, të cilët, sipas tij, humbën një partner të fuqishëm me largimin e Arben Taravarit.

“Me ikjen e Taravarit nuk i kanë më 107 mijë vota dhe ata humbën një aleat të fuqishëm për të cilin flet qartë rezultati i këtyre anketave,” thekson analisti.

Sipas tij, kjo është një alarm serioz për partitë shqiptare në pushtet, të cilat nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve që kërkonin ndryshim pas dekadave të qeverisjes së BDI-së.

“Njerëzit të lodhur nga qeverisja shumëvjeçare e BDI-së vërtet kërkonin një ndryshim, por e panë se kjo nuk ndodhi me VLEN-in. Njerëzit janë lodhur nga konferencat për shtyp të tyre për të arsyetuar dështimet vetëm duke atakuar opozitën që tashmë nuk ka asgjë në dorën e tyre,” u shpreh Saliu.

Ai parashikon që opozita shqiptare do të hyjë në zgjedhjet lokale si favorit, duke përfituar nga pakënaqësia në rritje ndaj pushtetit aktual.

“Opozita futet në zgjedhjet lokale si një favorit. Ata shfrytëzuan këtë çmim që VLEN-i pagoi me VMRO-në. Do ndodhte e njëjta gjë sikur Fronti të ishte në pushtet,” thekson ai.

Në përfundim, Saliu analizon se brenda VLEN-it ka figura me potencial, por të cilat janë neutralizuar nga politikanë pa peshë elektorale, që megjithatë kanë një hisë të barabartë në koalicion.

“Në VLEN ka edhe politikanë të mirë, por u mashtruan nga disa të tjerë që s’kanë peshë elektorale. Ka edhe prej atyre figurave politike që më shumë krijojnë kundërefekt duke qenë aty,” përmbyll ai.