Saliu: Ditë e trishtë për motrat medicinale në Tetovë: Kur kujdesi shëndetësor lihet në harresë

Gazetari Urim Saliu ka reaguar ashpër pas vendimit të Fondit për Sigurim Shëndetësor për të refuzuar punësimin e 155 motrave medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës. Ai e quan këtë një “ditë të trishtë” jo vetëm për to, por për të gjithë sistemin shëndetësor që sipas tij po rrënohet nga shpërfillja institucionale.

Postimi i Saliut , kryeredaktorit të Tetovasot :

Si një rufe nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, me dokument zyrtar të datës 14.07.2025, të nënshkruar nga dy drejtorë të saj, erdhi një “mendim negativ” për kërkesën për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës.Këtu u varrosën gjithë premtimet dhe shpresat .

Dje në Tetovë nuk ishte thjesht një ditë e zakonshme korriku. Ishte një ditë e trishtë. Jo sepse ra pak shi. Jo sepse ndodhi ndonjë tragjedi në rrugë. Por sepse 155 motra medicinale, që deri dje kujdeseshin për të sëmurët me dashuri e përkushtim, sot mbetën pa punë. Heshtur. Pa zhurmë. Pa ndonjë fjalë falënderimi. Pa një shpresë se nesër do të jetë më mirë.

Këto gra – motra, nëna, – nuk janë vetëm numra në një listë pune. Ato janë zemra e shëndetësisë. Ato janë të parat që zgjojnë pacientët në mëngjes dhe të fundit që mbyllin sytë nga lodhja e natës. Janë ato që mbanin dorën e një plaku pa familje. Janë ato që lotët i gëlltisnin për të mos i parë pacientët të shqetësuar. Dhe sot, janë ato që institucionet po i shpërblejnë me heshtje dhe largim.

A është kjo mënyra se si trajtohen ata që u gjendën përballë COVID-it kur të gjithë kishin frikë? A është kjo mënyra se si vlerësohet sakrifica dhe ndershmëria? Sot, ndërsa ne shëtisim qetësisht në qytet, 155 familje ndjejnë pasiguri, padrejtësi dhe lëndim. Jo vetëm sepse humbën një vend pune – por sepse humbën ndjenjën e vlerësimit dhe respektit.

Në një sistem ku korridoret e spitaleve janë të mbushura me pacientë dhe nevoja për staf është më e madhe se kurrë, është e pakuptimtë dhe e pafalshme që të largohen ata që me mund e përkushtim e mbajnë gjallë këtë sistem.

Kjo nuk është vetëm një çështje administrative. Është një pasqyrë e një sistemi që nuk njeh meritën, që nuk mbron ata që janë më të përkushtuarit. Dhe në këtë pasqyrë, sot shohim një fytyrë të trishtuar. Shohim një zemër të plagosur. Shohim kujdesin që po zbehet dhe dinjitetin që po fashitet.